Kulturë

Qëndrimi i Austro-Hungarisë ndaj Lëvizjes Kulturore Shqiptare gjatë vitit 1910

Fehari Ramadani (Universiteti Shtetëror i Tetovës)

Qëndrimi i Austro-Hungarisë ndaj Lëvizjes Kulturore Shqiptare
gjatë vitit 1910

“…Ne nuk mund të kuptojmë çlirimin e popujve ballkanikë
pa ndihmën që morën ata nga Fuqitë e Mëdha…”
Stavro Skendi

Interesimi i qeverisë austro-hungareze për zhvillimin e arsimit dhe të kulturës shqiptare, në veçanti dhe për çështjen shqiptare në përgjithësi, daton nga mesi i shek. XIX. Ky interesim i Vjenës zyrtare, në fakt reflektonte interesat e saj gjeostrategjike në Gadishullin Ballkanik. Perandoria Austro-Hungareze, ishte në rivalitet me Perandorinë Cariste Ruse dhe më vonë edhe me Italinë, për dominim në Ballkan. Nisur nga ky rivalitet, Austro-Hungaria duke përkrahur zhvillimin arsimor dhe kulturor të popullit shqiptar, përpiqej ta tërhiqte atë në anën e saj. Popujt tjerë të Ballkanit ishin përgjithësisht aleatë të Rusisë. Prandaj, i vetmi popull, që mund të ishte aleat i natyrshëm i Vjenës, ishte ai shqiptar. Kjo ishte arsyeja që qeveria perandorake dhe mbretërore përkrahu përpjekjet e shqiptarëve për zhvillimin e tyre arsimor dhe kulturor.

Që nga marrëveshja e Rajhshtahut (1876), Austro-Hungaria rriti aktivitetin e saj shumëdimensional, duke vënë në përdorim të gjitha mjetet, si ato politike, ekonomike, kulturore etj., për të përhapur e për të forcuar ndikimin e saj në Shqipëri. Nëpërmjet zhvillimit të tregtisë, hapjes dhe financimit të shkollave, ndihmesës së madhe për çështjet kishtare, kontributit të çmuar për shtypin shqiptar, madje duke u interesuar edhe për alfabetin dhe historinë e Shqipërisë, Perandoria Austro-Hungareze arriti t’i forcojë gjithnjë e më shumë pozitat e saj në Shqipëri. Ajo shfrytëzoi me shkathtësi, në këtë drejtim edhe sundimin shtypës osman dhe synimet shoviniste të fqinjëve.

Interesat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, shkruan studiuesi Zef Prela, përputheshin në “një pikë delikate” me interesat e qeverisë austro-hungareze. Ishte rrezik që Shqipëria edhe pas shpalljes së pavarësisë të bëhej një “Poloni ballkanike” për shkak të synimeve pushtuese të fqinjëve të saj . Ishte në interesin e të dyja palëve që të pengohej vendosja e sundimit sllav në brigjet lindore të Adriatiku. Me këtë, shqiptarët do të ruanin territoret e tyre nga pushtimi i huaj, kurse Austro-Hungaria do të pengonte zgjerimin e mëtejshëm rus në Ballkan.

Pas aneksimit të Bosnjës dhe Hercegovinës nga Austro-Hungaria (më 1908), Vjena i kushtoi një kujdes të veçantë zgjerimit të bazës së Kultusprotektoratit të saj në Shqipëri. Masat e ndryshme që duhej të shërbenin për këtë qëllim, ishin: përgatitja e klerit katolik, financimi i shtuar i urdhrave katolike dhe institucioneve fetaro-kulturore si dhe i shkollave të ndihmuara financiarisht prej tyre, organizimi i peshkopatave, përfshirë edhe fuqizimin e ndihmesës financiare për organet e shtypit në gjuhën shqipe si dhe për personalitete të shquara shqiptare.

Një kontribut të rëndësishëm, për zhvillimin kulturor të popullit shqiptar, qeveria austro-hungareze vazhdoi ta jepte edhe gjatë vitit 1910, duke mbajtur e financuar shkollat e saja në Shqipëri.
Në një njoftim që i dërgohej Vjenës nga Shkodra, më 15 maj të vitit 1910, jepej një përshkrim i hollësishëm i shkollave shqiptare, për vitin shkollor 1909-1910, të financuara nga Perandoria Austro-Hungareze. Në të jepen të dhëna për mësuesit e këtyre shkollave, për arsimimin e tyre, si dhe numrin e klasave të secilës shkollë. Sipas këtij njoftimi del se qeveria e Vjenës gjatë vitit shkollor 1909-1910 financonte këto shkolla në trojet shqiptare :
Shkodër: Kolegji i “Françesk Saverit”, që drejtohej nga jezuitët. Në kuadër të saj vepronin tre drejtime (shkolla): Shkolla fillore e fretërve për djem, e cila kishte 5 klasë, Shkolla reale, me tri klasë dhe Shkolla tregtare, po me tri klasë. Në këto shkolla punën e mësuesit e ushtronin: P. Luigi Cattaneo, rektor i etërve jezuitë, 8 etër jezuitë që kishin mbaruar filozofinë, si dhe tre mësues shekullarë Kolë Thaçi, Pashko Gurakuqi dhe Lazër Gera.

Shkolla fillore e fretërve për djem, përbëhej nga pesë klasë, me dy ndarje. Drejtor i saj ishte Atë Gjergj Fishta, kurse mësues, ishin: Atë Ambroz Marlaskaj, Mati Logoreci, Gaspër Mikeli, Gaspër Beltoja, Kolë Kodheli, Alois Mushani dhe Palok Hoti. Mati Logoreci kishte të mbaruar Kolegjin Saverian, kurse Mikeli, Beltoja, Kodheli dhe Mushani, kishin të mbaruar Shkollën Pedagogjike në Klagenfurt. Mësuesi Palok Hoti, kishte mbaruar shkollën fillore italiane në Shkodër.
Shkolla fillore Stigmatine për vajza në Shkodër, kishte gjashtë klasë. Drejtore e shkollës ishte motra e urdhrit, S. Sanktacroce Cianciulli, kurse punën e mësueses e ushtronin tetë motra urdhri për “literaturë e mësim punëdore”. Për nga përkatësia kombëtare ato ishin të përziera. Kishte mësuese vendase, italiane dhe austriake.
Shkolla Stigmatine për vajza në Shirokë kishte një klasë me tri ndarje. Në të punonin katër motra urdhri për “literaturë e mësim punëdore”. Të katërtat kishin të kryer shkollën e vajzave në Shkodër.
Shkollat e djemve në Shirokë dhe Dajç-Bunë, kishin nga një klasë me nga tri ndarje. Mësuesi i shkollës së parë kishte mbaruar Kolegjin Saverian, ndërsa mësuesi i shkollës së dytë, Shtjefën Maçi, ishte pa përgatitje shkollore.

Shkolla e djemve në Bushat, një klasë me dy ndarje. Mësuesi Mikel Agostini, kishte kryer shkollën fillore të fretërve.
Shkolla e djemve në Juban, një klasë me tre ndarje. Gjon Qerraxhia, mësuesi i saj, kishte kryer Kolegjin Saverian.
Shkolla e djemve në Selcë, kishte një klasë. Ati françeskan, famullitari Jak Serreqi, ushtronte punën e mësuesit.
Shkup: Shkolla shqipe katolike e famullisë. Kjo shkollë kishte tri klasë për djem, dy klasë për vajza dhe një kopsht fëmijësh. Mësues të saj ishin: Nikollë Rrota, i cili kishte mbaruar Shkollën Pedagogjike në Klagenfurt; Gjon Kajtazi, kishte studiuar te lazaristët në Stamboll; Mehmet Teufiku, mësues i turqishtes, kishte të kryer shkollën idadije në Selanik. Mësuesja Protogena Be…, motër zemërdhimbshme, kishte studiuar në Zagreb dhe Charlotte Jusarit, motër zemërdhimbshme, e përgatitur gjithashtu në Zagreb.

Shkolla e Hekurudhës në Shkup, ishte e organizuar në katër klasë dhe një kopsht fëmijësh. Mësues të saj ishin famullitari Jozef Ramaj, Nikollë Rrota (punonte edhe në shkollën tjetër të Shkupit), Nusret Efendiu, i përgatitur në shkollat osmane dhe Aloisa Bogdanoviq, i cili kishte kryer një kurs për kopsht fëmijësh në Tropan.
Shkolla katolike e famullisë në Ferizaj, me tri klasë. Punën e mësuesit në të e ushtronte famullitari Dom Pashkë Krasniqi, i cili ishte arsimuar në shkollën françeskane në Shkodër.
Shkolla shqipe katolike e famullisë në Stubëll, përbëhej nga tri klasë. Mësuesi i saj Dom Mikel Tarabulluzi, kishte mbaruar Kolegjin e jezuitëve në Shkodër.
Shkolla katolike e famullisë në Janjevë, kishte katër klasë për djem dhe tri për vajza. Mësues të saj ishin: Mata Ivanoviq, që kishte kryer shkollën fillore në Janjevë; Ivan Berisha, kishte kryer të njëjtën shkollë si i pari dhe Xhemail Arifi, mësues i turqishtes, kishte studiuar në shkollat osmane.

Shkolla katolike e famullisë në Letnicë, kishte tre klasë. Mësues ishte Luka Filiç, i cili kishte kryer Kolegjin e Jezuitëve në Shkodër .
Në dokument thuhet se në dy shkollat e fundit mësimi zhvillohej në gjuhën sllave. Por, sipas prof. Rexhepagiqit në vitin 1908 drejtori i shkollës së Janjevës ishte Pal Gjergja, shqiptar i Zarës, kurse mësues i klasës së parë ishte Ivan Berisha nga Janjeva. Angazhimi i mësuesve shqiptarë në shkollën e mësipërme, është tregues se në të mësimi, krahas sllavishtes, zhvillohej edhe në gjuhën shqipe. Gjithashtu sipas katalogut të shkollës, del se në ato vite nxënësit kanë mësuar edhe gjuhën shqipe . Këto argumente dëshmojnë se në shollën e Janjevës, krahas gjuhës sllave, mësimi është zhvilluar edhe në gjuhën shqipe. Një proces i njëjtë mësimor është zhvilluar edhe në shkollën e Letnicës .
Prizren: Shkolla katolike e djemve, kishte tri klasë me pesë ndarje. Mësuesi Anton Lezhja, kishte kryer Shkollën Pedagogjike në Klagenfurt, kurse Lazër Lumezi e kishte kryer shkollën katolike në Prizren. Në atë shkollë punonin edhe dy mësues të tjerë Serafin Mitroviqi dhe Tahir bin Uzus, për të cilët nuk jepen të dhëna se ku i kishin kryer studimet. Por, nga të dhëna të tjera burimore del se Mitroviqi e kishte kryer Shkollën Pedagogjike në Klagenfurt . Ndërsa për mësuesin Tahir bin Uzus, ndonëse nuk kemi të dhëna të dokumentuara, por duke marrë për bazë faktin se në shkollën në fjalë ai jepte lëndën e gjuhës turke, mund të thuhet se ka pasur të kryer ndonjë shkollë osmane.

Shkolla katolike për vajza në Prizren, kishte një klasë me tri ndarje dhe një kopsht fëmijësh. Në atë shkollë punonin dy motra zemërdhimbshme nga Zagrebi dhe dy motra zemërdhimbshme vendase .
Shkolla katolike në Gjakovë, kishte vetëm një klasë me tri ndarje. Mësuesi i saj Ejëll (Engjëll) Ndoca, pesë vite kishte ndjekur mësimet në Kolegjin Papnor në Shkodër dhe dy vite kishte studiuar filozofi .
Shkolla e Pejës, ishte vendosur në një lokal pranë shkollës katolike. Në të fëmijët meshkuj dhe femra i ndiqnin mësimet ndaras .
Durrës: Shkolla fillore katolike për vajza e motrave zemërdhimbshme funksiononte vetëm me një klasë. Mësuesja motër Çeçilia Brisku, me përkatësi etnike austriake ose hungareze, ishte diplomuar si mësuese në kopshtin e fëmijëve. Një shkollë tjetër fillore ishte ajo katolike për djem në Rrëshen, e cila përbëhej nga dy klasë. Famullitari Dom Mark Vasa, kishte kryer Kolegjin Papnor shqiptar nuk kishte asnjë kualifikim mësuesie , por në mungesë të kuadrit punonte në cilësinë e mësuesit.

Kolegjin e mësipërm e kishte kryer famullitari Anton Lleshi, i cili punonte në shkollën katolike në Milot. Po ashtu edhe ky famullitar nuk kishte asnjë kualifikim për mësues.
Dioqeza e Sapës: Shkolla e djemve në Hajmel, me një klasë dhe tri ndarje. Mësuesi që punonte në këtë shkollë, Karl Shiroka, kishte mbaruar Kolegjin Saverian.
Shkolla e djemve në Dajç- Zadrimë, kishte të njëjtën strukturë sikurse shkolla e mësipërme. Në të punën e mësuesit e ushtronte françeskani Kol Zezaj.
Dioqeza e Lezhës: Shkolla e djemve dhe e vajzave e motrave zemërdhimbshme në Kallmet. Në këtë shkollë si mësuese punonin dy motra vendase, të cilat kishin kryer shkollën e vajzave në Shkodër.
Abacia e Mirditës: Shkolla e djemve në Orosh, funksiononte me një klasë me tri ndarje. Mësuesi i saj Kolë Dema kishte mbaruar shkollën tregtare të jezuitëve.
Shkolla e djemve në Kashnjet, kishte të njëjtën strukturë sikurse shkolla e Oroshit. Mësues i saj ishte Kolë Laca.

Me një organizim të njëjtë, sikurse dy shkollat e sipërpërmendura, ishte edhe shkolla e djemve në Spaç. Në këtë shkollë në cilësinë e mësuesit punonte Zef Ndoci, i cili nuk kishte ndjekur asnjë shkollë .
Austro-Hungaria financonte edhe Kopshtin e fëmijëve servite dhe Shtëpinë e djemve jetimë në Shkodër. Në të parin, punonin motra e urdhrit, Suora Maria Petroviq, e cila ishte edhe eprore, pesë motra të tjera urdhri dhe tri ndihmëse. Kurse, në Shtëpinë e djemve jetimë drejtor ishte Br. Bernardin Dillingen, i cili kishte diplomuar në Shkollën Pedagogjike në Bregens. Një personalitet tjetër i dalluar i kësaj shtëpie jetimore ishte Br. Altman Fellinger, prefekt, që kishte të kryer seminarin për mësues në Shtrebersdorf. Djemtë jetimë frekuentonin shkollën e fretërve .
Përpos shkollave, kopshteve e jetimoreve të sipërpërmendura, Austro-Hungaria ka financuar edhe shkolla të tjera. Shkolla private katolike kanë vepruar edhe në trevën e Lumës , në Tiranë , në Durrës, në Vlorë , në Zym, në Zllokuqan . Këtij vargu shkollash mund t’i shtohet edhe një shkollë në trevën e Hotit (në Traboin) , si dhe Ushtrimorja (Foshnjorja) “Fridrik Frabel”, në Prizren, e themeluar në vitin 1907, por që filloi me punë më 1 shtator 1908. si mësuese e saj u dallua Mikelangjela Çoba. Këtë Ushtrimore e ndiqnin fëmijët (djem e vajza) të moshës tre deri në gjashtëvjeçare. Çdo vit numri i nxënësve ishte 30-50 fëmijë .
Qeveria austro-hungareze, përpos institucioneve edukativo-arsimore që kishte hapur dhe i financonte në territoret shqiptare, në të cilat mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe, ndihmoi edhe në zhvillimin e gjuhës shqipe edhe në kolonitë shqiptare jashtë vendit. Që nga viti 1901, me ndihmën financiare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë, në koloninë shqiptare në Borgo Erizzo (Arbënesh) të Zarës, u hapën kurset e gjuhës shqipe.
Më 30 mars 1910, guvernatori austro-hungarez në Zarë, i paraqiste Ministrisë së Jashtme, dëftesat e mësuesit të gjuhës shqipe në shkollat e Borgo Erizzos, Anton Palucës, me të cilat vërtetohej se ai kishte marrë 1.000 korona, të dërguara nga Ministria e Jashtme . Në nëntor të vitit 1910, Ministria e Jashtme e njoftonte guvernatorin e saj në Zarë se i kishte dërguar 1.000 korona të tjera, “që të përdoren për përballimin e rrogës mujore prej 200 koronash të mësuesit të gjuhës shqipe… Anton Paluca… për kohën 1 tetor… 29 shkurt të vitit të ardhshëm” .
Shkollat austro-hungareze të cilat funksiononin në trojet shqiptare, ishin shkolla fetare. Qeveria osmane kishte lejuar hapjen dhe funksionimin e tyre, e shtrënguar nga marrëveshjet e Kultusprotektoratit, në bazë të të cilave Austro-Hungaria kishte fituar të drejtën e mbrojtjes së katolikëve në Perandorinë Osmane. Megjithatë, qeveria austro-hungareze, në disa raste dilte edhe jashtë sferës së Kultusprotektoratit, duke ndihmuar shkollat laike shqipe, si p.sh. shkollën e djemve dhe të vajzave në Korçë etj. Por, këto ndihma jepeshin në mënyrë të fshehtë. Në disa raste, për të mos rënë në sy të autoriteteve osmane, Vjena refuzonte të jepte ndihma financiare për shkollat shqipe.

Hapja e Normales së Elbasanit (më 1 dhjetor të vitit 1909), përbën ngjarjen më të rëndësishme të Lëvizjes sonë Arsimore, të periudhës së Rilindjes Kombëtare, pasi mori përsipër të përgatiste mësues për të gjitha shkollat shqiptare, dhe ia doli aq për sa i premtuan rrethanat. Mirëpo, Normalja përballej me vështirësi të mëdha financiare. Kontributet që jepnin atdhetarët shqiptarë për funksionimin me sukses të saj ishin të pamjaftueshme, kurse qeveria osmane, e cila duhej të kujdesej për shkollimin e nënshtetasve të saj, jo vetëm që nuk e ndihmonte arsimin shqip, por i nxirrte atij një varg pengesash. Prandaj, drejtuesit e Normales u detyruan të kërkonin ndihma nga jashtë. Kështu, Dervish bej Biçaku, i cili ishte kryetar i Këshillit administrativ të Normales, vendosi të kërkonte ndihma nga Austro-Hungaria. Në një vizitë, që i bëri konsullatës austro-hungareze në Durrës, Dervish beu do të kërkojë ndihmë nga ministri i Jashtëm vjenez, konti Aehrenthal . Drejtuesit e Shkollës Normale planifikonin për vitin vijues shkollor 1910-1911 të ngrinin një godinë të re, sepse ekzistuesja nuk i plotësonte kërkesat, gjithnjë në rritje për ndjekjen e mësimit atje. Në vitin e parë të funksionimit të saj, shkolla kishte 160 nxënës, prej të cilëve 70 ishin bursistë, kurse për vitin vijues planifikohej që numri i nxënësve të arrinte në 1.000, prej të cilëve 600 do të ishin bursistë, kurse 200-250 do të ishin konviktorë. Për realizimin e gjithë këtij projekti kombëtar, Dervish beu kërkonte ndihmë nga qeveria e Vjenës , pasi drejtuesit e shkollës nuk ishin në gjendje, pa një ndihmë të jashtme, ta realizonin me sukses planin e tyre.
Marrëdhëniet midis Perandorisë Austro-Hungareze dhe Perandorisë Osmane ishin përmirësuar, pas ftohjes që patën në vjeshtën e vitit 1908, me aneksimin e Bosnjës dhe Hercegovinës nga Perandoria Danubiane. Rrjedhimisht Ballhausplatzi nuk dëshironte që përsëri të kishte mosmarrëveshje me Portën e Lartë. Prandaj, qeveritarët e Vjenës kishin frikë, se dhënia e ndihmës për Shkollën Normale të Elbasanit do të merrej vesh nga Stambolli dhe kjo do të zemëronte qeveritarët osmanë . Për këtë arsye, baroni Bornemisza, nga ambasada austro-hungareze në Jeniqoj*, propozonte që ndihma eventuale të maskohej “në formë gjoja të një fushate, që paska organizuar Dervish Beu, me anën e shqiptarëve të atjeshëm me rastin e një qëndrimi në Vjenë” .

Planet e atdhetarëve shqiptarë për zgjerimin e objekteve të Normales dhe rritjen e numrit të nxënësve u prishën nga vendimi i Portës së Lartë për ta mbyllur shkollën. Mbyllja e Normales së Elbasanit, në gusht të vitit 1910 , ishte një goditje e rëndë që i bëhej Lëvizjes sonë Arsimore. Qeveria osmane nuk kishte ndërmend të lejonte rihapjen e Normales, qoftë në Elbasan qoftë në ndonjë qytet tjetër shqiptar. Prandaj, udhëheqësit e Lëvizjes Arsimore Shqiptare, si Dervish bej Biçaku e Luigj Gurakuqi do të kërkojnë ndihmë materiale nga Austro-Hungaria “…për të mundur që të riçelin institutin pedagogjik të Elbasanit, të mbyllur prej qeverisë turke”, qoftë në Bosnjë, qoftë edhe në Egjipt , në Itali, në Zvicër apo në ndonjë vend tjetër .

Në vitet e fundit të sundimit osman, një pjesë e atdhetarëve shqiptarë i kishin kthyer sytë drejt Perandorisë Austro-Hungareze. Ata ishin të bindur, se kjo Perandori ishte e vetmja Fuqi që mbështeste Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, pa pasur pretendime pushtuese ndaj trojeve shqiptare. Në grupin e atdhetarëve shqiptarë që shpresonin në ndihmën e Vjenës ishte edhe Dervish Hima.
Në një letër që Dervish Hima i dërgonte konsullit të përgjithshëm austro-hungarez në Shkodër, theksonte se “lufta kundër edukimit (arsimit-F. R.) shqiptar është e rreptë nga ana e qeverisë”. Prandaj, ai kërkonte ndihmën e qeverisë austro-hungareze për hapjen e disa shkollave “të vogla midis myslimanëve… shqiptar” në disa krahina të vendit. Gjatë një vizite, që ai kishte zhvilluar në Vjenë, para pak kohësh, një zyrtar i Ministrisë së Jashtme, i kishte premtuar atij se “në mënyrë formale se departamenti do ta jipte pëlqimin e tij” (nënvijëzimi në origjinal), për hapjen e shkollave. Nëpërmjet letrës, Dervish Hima e pyeste konsullin e përgjithshëm se çfarë mendimi kishte ai “për themelimin e disa shkollave që unë dëshiroj t’i themeloj”. Ai planifikonte që ato shkolla t’i hapte pas tre muajsh, kur të kthehej në Shqipëri. Nëse një gjë e tillë do të realizohej, ai premtonte se nëpërmjet gazetës së tij “Shqiptari” dhe nëpërmjet “shtypit mik” sigurisht se do të “arrijmë të bëjmë një përshtypje të mirë” , për mbështetjen e qeverisë së Vjenës për arsimin në gjuhën shqipe. Brenda pesë ditësh, Dervish Himës i kthehej përgjigje nga Vjena. Në letër thuhej se në Ministrinë e Jashtme vazhdonte të ekzistonte “gatishmëria më e madhe”, në lidhje me çështjen e hapjes së atyre shkollave. Por, kërkohej nga Dervish Hima që t’i njoftonte autoritetet përkatëse në Vjenë, se në cilat vende ai planifikonte t’i hapte ato shkolla. Po ashtu ai duhej të raportonte edhe për personelin mësimor dhe buxhetin që ai mendonte se mund ta siguronte nga miqtë e tij , për realizimin e këtij projekti fisnik.

Dervish Hima fillimisht kishte planifikuar të hapte shkolla shqipe në krahinën e Dibrës dhe kërkesën e mësipërme e kishte bërë për këtë qëllim. Mirëpo, pas një muaji, siç duket ai kishte ndryshuar mendje në lidhje me vendin e hapjes së shkollave. Në qershor të vitit 1910, ky atdhetar iu drejtua Vjenës me një kërkesë të re për hapjen e shkollave në krahinat në jug të Dibrës. Në një raport të diplomatit austro-hungarez Rappaport, thuhet: “Ndërsa ai hapjen e shkollave në Dibër etj., e rezervon për më vonë, hëpërhë dëshiron që të ngrihet një shkollë vetëm në Strugë (Ohër) dhe në Bërzeshtë (midis Starovës dhe Elbasanit)” . Rappaport e shihte të arsyeshme që kërkesa në fjalë të realizohej, prandaj ai i jepte vetes të drejtë që t’u propozonte zyrtarëve të tij në Vjenë: “…që Dervish Himës t’i akordohet për mbajtjen e dy shkollave të projektuara një shumë të nevojshme prej 3.000 frangash për një vit”, kurse shpenzimet tjera do të jepeshin në varësi të suksesit që do të kishin këto shkolla . Siç duket qeveria austro-hungareze e miratoi këtë kërkesë pasi i depozitoi pranë Wiener Bankverein-it 3.000 franga, të cilat do t’i paguheshin Dervish Himës nga filiali i Stambollit .

Në një raport, që zëvendëskonsulli Halla i dërgonte nga Durrësi ministrit të tij të Punëve të Jashtme, kontit von Aehrenthal, më 26 maj të vitit 1910, parashtronte dëftesën e Fuad bej Toptanit për marrjen e 15.650 frangave, të cilat qeveria e Vjenës ia kishte dhënë si ndihmë për hapjen e shkollave dhe realizimin e projekteve tjera, të planifikuara nga ai dhe vëllai i tij, Fazil Pasha .
Në kuadër të funksionimit të suksesshëm të shkollave të saj në Shqipëri, qeveria e Vjenës dha një kontributit të çmueshëm për botimin e teksteve shkollore dhe të veprave të tjera shkencore dhe letrare në gjuhën shqipe.
Në maj të vitit 1910, konsullata e Shkodrës e njoftonte Ministrinë e Punëve të Jashtme në Vjenë, se kjo konsullatë kishte marrë në dorëzim 500 ekzemplarë të Katekizmit të Ri shqip, pjesa e parë. Nga këto, 170 ekzemplarë ishin vënë në dispozicion të shkollës jezuite dhe 20 të tjerë iu dhanë “misionit të jezuitëve ambulantë” . Kurse shkollat tjera të Shkodrës dhe të fshatrave përreth do vazhdonin të punonin me Katekizmat e vjetër, të përgatitur me alfabetin e Mjedës, “derisa ato të harxhoheshin krejt” .

Tekstet për shkollat e financuara nga Austro-Hungaria, botoheshin nga Shtëpia Botuese e Librit Shkollor perandorak e mbretëror në Vjenë . Më 19 tetor 1910, Drejtoria Qendrore e Shtëpive Botuese të Librit Shkollor e njoftonte Ministrinë e Punëve të Jashtme, se kishte shpenzuar 444 korona e 74 hellerë për botimin e Katekizmit të vogël shqip, me një tirazh prej 2.000 ekzemplarësh. Shuma e sipërpërmendur duhej të shlyhej nga kjo Ministri pranë arkës së Shtëpisë Botuese . Kurse më 14 dhjetor 1910, po kjo Drejtori e njoftonte Ministrinë e Punëve të Jashtme, se kishte shpenzuar 929 korona e 70 hellerë për botimin e Librit të Leximit shqip, pjesa e dytë, me një tirazh prej 1.600 ekzemplarësh dhe i lutej Ministrisë në fjalë, që të depozitonte shumën e sipërpërmendur pranë arkës së Shtëpisë Botuese .
Përveç librave shkollorë, qeveria austro-hungareze, ndihmonte edhe në botimin e librave tjerë në gjuhën shqipe. Në një dëftesë që Dr. Gjergj Pekmezi, i dërgonte Vjenës, në janar të vitit 1910, dëshmonte, se ai kishte marrë në dorëzim nga qeveria vjeneze 600 korona, si ndihmë për botimin e Bibliografisë Shqiptare . Gjithashtu, në janar të po atij viti, nënkonsulli austro-hungarez, në Shkodër, Lejhanec, i dërgonte Ministrisë së Jashtme një dëftesë të françeskanit Atë Gjeçovi, me të cilën vërtetonte se ky atdhetar kishte marrë rregullisht një shumë prej 200 koronash. Ajo i ishte akorduar atij si shumë e jashtëzakonshme, për botimin e një vepre në gjuhën shqipe .

Në vitin 1910, shoqëria “Dija”, kishte botuar, në Manastir, një kalendar të atij viti. Mirëpo, kjo shoqëri përballej me vështirësi të mëdha financiare. Prandaj, Dr. Gjergj Pekmezi, në emër të shoqërisë “Dija”, kërkonte nga Vjena, që t’i akordonte asaj një shumë prej 300 ose të paktën 200 koronash, për mbulimin e shpenzimeve, pasi botimi i mësipërm “konsiderohej si një ndërmarrje kombëtare” .
Dr. Gjergj Pekmezi, bënte korrigjimin e librave shqip, të botuar në Vjenë, për të cilin aktivitet ai shpërblehej nga Ministria e Punëve të Jashtme e Austro-Hungarisë. Në një urdhëresë, të datës 16 dhjetor 1910, që kjo Ministri ia drejtonte shefit të seksionit të botimit të librave shkollor, von Wolf, e urdhëronte këtë të fundit që t’i paguante Dr. Gj. Pekmezit shumën prej 100 koronash, si kompensim për korrigjimin që ai i kishte bërë Librit të Leximit shqip, pjesa e dytë. Pagesa e shumës do të bëhej përkundrejt një dëftese , të cilën Pekmezi do ta nënshkruante dhe kjo do të shërbente si dëshmi se ai e kishte marrë shumën e mësipërme.

Në dhjetor të vitit 1910, konsullata e përgjithshme austro-hungareze në Shkodër i paraqiste Ministrisë së Jashtme, veprën në dorëshkrim të autorit Dom Ndre Mjeda, të titulluar “Historia e shenjtë”. Konsulli propozonte që teksti në fjalë të shtypej në 1.500 ekzemplarë, aq sa nevojiteshin për shkollat të cilat ishin nën juridiksionin e asaj konsullate .
Krahas ndihmave të vazhdueshme financiare për zhvillimin e arsimit në gjuhën shqipe, qeveria austro-hungareze ndihmonte edhe personalitete të shquara shqiptare, të cilët ishin veprimtarë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Në fund të dhjetorit të vitit 1909, Ballhausplatzi njoftonte nënkonsullin Lejhanec, se i kishte dërguar 6.000 franga, me të cilat duhej të mbulohej kësti i parë i tremujorit janar-mars të vitin 1910, për Preng Pashën .
Në raste të caktuara, Ministria e Jashtme e qeverisë austro-hungareze, ndihmonte financiarisht personalitetet shqiptare, për veprimtarinë e tyre politike. Në fillim të janarit të vitit 1910, konsullata austro-hungareze e Prizrenit e njoftonte Ballhausplatzin, se shuma prej 400 frangave, akorduar imzot Lazër Mjedës, ipeshkvit të Ipeshkvnisë Shkup-Prizren, i ishte dorëzuar atij. Në të njëjtën kohë ipeshkvi i përmendur, i paraqiste Ministrisë një dëftesë, me të cilën vërtetonte se shuma e mësipërme i ishte dorëzuar atij. Kjo ndihmë i ishte akorduar Mjedës, për të mbuluar “shpenzimet e bëra gjatë zgjedhjeve të deputetëve” të Shkodrës .

Në janar të vitit 1910, Ballhausplatzi e njoftonte nënkonsullin e saj në Shkodër, Lejhanec se për këtë vit, do t’i akordonte Gjergj Fishtës, një ndihmë financiare personale prej 500 koronash. Njëkohësisht i kërkohej Lejhanecit, që ta njoftonte poetin shqiptar se ndihma në fjalë, nuk i jepej atij në cilësinë e kryetarit të kuvendit të Gjuhadolit, por “vetëm duke çmuar meritat e tij personale që ka për çështjen nacionale shqiptare dhe për letërsinë shqipe” . Brenda javës, Atë Fishta i paraqiti Ministrisë së Jashtme dëftesën, me të cilën vërtetonte se konsullata e përgjithshme në Shkodër, i kishte dorëzuar atij shumën e mësipërme . Nga këto relacione del qartë se qeveria austro-hungareze përpiqej që, nëpërmjet ndihmave financiare, t’i stimulonte personalitet shqiptare, të kohës, të kontribuonin sa më tepër, në zhvillimin e çështjes kombëtare shqiptare. Qëllimi kryesor i saj ishte zhvillimi kulturor dhe ngritja e vetëdijes kombëtare të popullit shqiptar.

Preng Bib Doda edhe gjatë vitit 1910, vazhdonte të merrte ndihma të rregullta financiare nga Ballhausplatzi. Në fillim të prillit të atij viti, ai i paraqiste një dëftesë Ministrisë së Jashtme, për marrjen e këstit të dytë të atij viti. Kësti tremujor arrinte shumën prej 6.000 frangave . Ndihma të rregullta financiare nga Ministria e Jashtme, merrte edhe kapedani i Mirditës, Marka Gjoni. Për çdo tremujor, ai merrte nga 2.000 franga. Nëpërmjet një dëftese, ai vërtetonte se kishte marrë nga konsullata e përgjithshme në Shkodër, ndihmën e mësipërme, për muajt korrik-gusht-shtator . Aty nga fundi i shtatorit, Ballhausplatzi e njoftonte konsullin von Zambauer, se shuma prej 2.000 frangave kishte arritur në zyrën postare perandorake dhe mbretërore në Shkodër. Rrjedhimisht autorizohej konsulli që të njëjtën ta tërhiqte dhe t’ia dorëzonte Marka Gjonit, për të mbuluar tremujorin e fundit të vitit 1910 .

Qeveria e Vjenës, ishte e interesuar që të mbante marrëdhënie të mira me qeverinë xhonturke dhe këmbëngulte në ruajtjen e status quo-së, në Ballkan dhe përgjithësisht në Perandorinë Osmane. Për këtë arsye, ajo në të shumtën e rasteve ndihmën financiare për personalitetet shqiptare, e kushtëzonte me “moszhvillimin e agjitacionit” kundër xhonturqve. Kështu, në vitin 1909, Fazil pashë Toptanit i ishte akorduar një ndihmë prej 15.000 koronash, por ai ishte kushtëzuar që ato “të mos i përdorte për agjitacion kundër xhonturqve, por vetëm për qëllime thjesht kulturale dhe letrare të shqiptarëve”. Nëse Fazil pashë Toptani do t’u përmbahej kushteve të mësipërme, atëherë, i premtohej atij, se një shumë e njëjtë do t’i akordohej edhe vëllait të tij Fuat beut. Sipas një raporti, që nënkonsulli Halla i dërgonte Ministrisë së Jashtme, në fillim të prillit të vitit 1910, Fazil pasha u ishte përmbajtur kushteve të vëna nga qeveria austro-hungareze, prandaj nënkonsulli propozonte që shuma, prej 15.000 koronash, e premtuar për Fuat beun, t’i dorëzohej atij. Ballhauplatzi, pranoi propozimin e Hallës dhe e autorizoi atë që shumën e mësipërme t’ia dorëzonte Fuat beut, duke e njoftuar njëherësh se ajo do të ishte ndihma e fundit për ata “për qëllime kulturale dhe letrare”. Por, në qoftë se vëllezërit Toptani do të themelonin shkolla shqipe, ashtu siç kishin premtuar në shtatorin e vitit 1909, atëherë Ministria e Jashtme, do ta shqyrtonte mundësinë e akordimit të ndonjë ndihme tjetër “në masën e zakonshme si instituteve analoge në pjesët tjera të Shqipërisë” .

Gjatë vitit 1910, Dervish Hima mori 12.500 franga ndihma nga qeveria austro-hungareze, prej të cilave 6.000 franga ndihmë të rregullt dhe 6.500 franga ndihmë të jashtëzakonshme .
Në fillim të janarit 1910, Ministria e Jashtme austro-hungareze aprovoi një ndihmë financiare prej 600 koronash për Gjergj Pekmezin. Kjo shumë i ishte dorëzuar menjëherë Pekmezit, për çka ai parashtronte edhe dëftesën e tij . Në mars Ministria e Jashtme, i kishte akorduar Preng Tahirit një ndihmë prej 160 frangash. Pas një muaji, në prill, ai i paraqiste Ministrisë dëftesën për marrjen e shumës në fjalë . Nga ana tjetër, qeveria vjeneze vazhdoi të derdhte mjete financiare për veprimtarë shqiptarë. Kështu, në fund të shtatorit, Pekmezit iu dhanë edhe 90 korona, për të mbuluar shpenzimet që kishte bërë ai për t’u ndihmuar disa bashkatdhetarëve të tij, të cilët kishin shkuar në Vjenë “për t’u pranuar në punë” ose për t’u regjistruar në “institucionet” e atjeshme . Gjergj Pekmezi, krahas ndihmave të jashtëzakonshme, të cilat ishin mjaft të shpeshta për të, vazhdonte të merrte ndihma të rregullta nga qeveria e Vjenës. Në nëntor dhe dhjetor të vitit 1910 dhe janar të atij 1911, ai i paraqiste Ministrisë së Jashtme tre dëftesa me të cilat vërtetonte se kishte marrë tri herë nga 120 korona, si ndihmë të rregullt, për muajt tetor, nëntor dhe dhjetor të vitit 1910 .

Një fushë tjetër e cila ndihmohej nga Austro-Hungaria ishte edhe ajo e fesë katolike. Marrëveshjet e Kultusprotektoratit parashikonin pikërisht ndihmat për fenë dhe institucionet katolike në Perandorinë Osmane dhe mbrojtjen e tyre nga Austro-Hungaria. Në këtë drejtim, që nga mesi i shkurtit të vitit 1910, Ministria e Jashtme e njoftonte konsullatën e përgjithshme në Shkodër, se provincialit të françeskanëve, Palucit do t’i paguhej vetëm ndihma e zakonshme semestrale (gjysëmvjetore) prej 1.440 koronash, kurse kuvendit të Gjuhadolit, do t’i caktohej një ndihmë vjetore prej 1.300 koronash .
Për çdo ndihmë që Ministria e Jashtme u akordonte institucioneve apo personaliteteve të ndryshme, konsullatat austro-hungareze ishin të detyruara që t’i dërgonin Vjenës dëftesat, me të cilat vërtetohej dorëzimi i ndihmave. Kështu në mars të vitit 1910, konsullata e Shkodrës i paraqiste Ministrisë dëftesat e ipeshkvit të Sapës, imzot Serreqit për marrjen e 500 koronave, të cilat i ishin akorduar si “dhuratë për përfundimin e meremetimeve në famullinë e Iballës”. Famullitari, Atë Çiril Zani, kishte nënshkruar një dëftesë për marrjen e 900 koronave, të cilat i ishin akorduar si kontribut për “adoptimet në strehën” në Shalë. Ndihma të tjera financiare u ishin dhënë edhe famullitarëve në Nikaj dhe Rrapshe, të Malësisë së Mbishkodrës. Famullitari, Atë Pjetër Vrusha kishte paraqitur një dëftesë për marrjen e 700 koronave për restaurimin e kishës në Nikaj, kurse famullitari, Atë Sebastian Hila, paraqiste një dëftesë për marrjen e 1.600 koronave, akorduar atij si kontribut për restaurimin e famullisë në Rrapshe .
Në ndonjë rast, qeveria austro-hungareze u tregua tepër e kujdesshme në raport me ndihmat financiare që i derdhte në Shqipëri. Me sa duket këtë e bënte për të mos provokuar reagimin e Perandorisë Osmane. Sidoqoftë, nëpërmjet një njoftimi sekret, ajo, autorizonte konsullin von Zambaur në Shkodër, që të tërhiqte shumën prej 5.000 frangave, nga zyra postare perandorake dhe mbretërore. Nga kjo shumë, 4.500 korona do t’i dorëzoheshin imzot Preng Doçit, me të cilat do të shlyhej kësti i katërt, për vitin 1909/10 . Krahas ndihmës së zakonshme, abatit të Mirditës, qeveria austro-hungareze edhe gjatë vitit 1910, i akordoi një ndihmë të jashtëzakonshme prej 20.000 frangash .

Një kontribut të rëndësishëm qeveria austro-hungareze dha edhe për zhvillimin e shtypit shqiptar. Shumë nga gazetat shqiptare që botoheshin gjatë vitit 1910, e kishin të pamundur ekzistencën e tyre pa një ndihmë financiare nga qeveria vjeneze.
Në vitin 1909, Dervish Hima hartoi një projekt, që parashikonte themelimin e një gazete* në gjuhën shqipe. Por, meqenëse, ai përballej me vështirësi financiare dhe e kishte të pamundur ta realizonte projektin e vet, iu drejtua për ndihmë, qeverisë austro-hungareze. Ministria e Jashtme miratoi kërkesën e Dervish Himës për t’i akorduar atij një ndihmë vjetore prej 6.000 frangash, të cilat ai do t’i merrte në çdo tremujor. Sipas një shënimi të konsullit Kuriatkowski, këstin e parë prej 1.500 frangash ai do ta merrte në Vjenë, kurse këstin e dytë do ta merrte duke filluar nga shkurti i vitit 1910. Sipas një dëftese të paraqitur nga Dervish Hima, këstin e parë ai e kishte marrë nga Kuriatkowski . Kësti i dytë, nuk ishte dorëzuar në kohë, këtij intelektuali dhe atdhetari, prandaj, në një letër që i dërgohej Dervish Himës nga Vjena, në prill të vitit 1910, Artur Rabler, përfaqësues i Postës Qendrore në Vjenë, i propozonte atij që të caktonte një bankë në Pera ose Gallatë, pranë së cilës do të mund t’i dërgoheshin këstet tjera të ndihmës . Në maj të atij viti, ndihma prej 1.500 frangash, Dervish Himës iu dërgua nëpërmjet Wiener Bankwerein- Degës së Stambollit .

Drejtuesit e gazetës “Bashkimi”, e cila dilte në Shkodër, i dërguan disa numra ish-konsullit Rappaport, i cili në atë kohë ishte në shërbim në Ministrinë e Jashtme në Vjenë. Këto, ekzemplarë iu dërguan atij, pa kërkesën e tij paraprake për një gjë të tillë. Në numrin e fundit, që ia dërguan atij, ata patën përpiluar edhe një shënim në gjuhën shqipe: “Ju lutemi të na njoftoni a dëshironi të abonoheni në gazetë…”. Ky shënim ishte kuptuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme, si kërkesë për një “ndihmë materiale”. Prandaj, në qershor 1910, Ministria kërkonte nga konsulli i saj në Shkodër, von Zambaur, të shprehte mendimin e tij në lidhje me dhënien ose jo të ndihmës. Gjithashtu Ministria e njoftonte konsullin se akordimi i një ndihme të tillë, nuk mund të kalonte shifrën e 2.000 frangave, në vit . Në fillim të korrikut, Zambaur, u deklarua pro akordimit të një ndihme për gazetën në fjalë dhe brenda muajit Ministria e Jashtme i akordonte “Bashkimit”, një ndihmë prej 1.000 frangash për gjashtëmujorin e parë të vitit 1910. Ministria e autorizonte konsullin që shumën e mësipërme ta tërhiqte nga zyra e postës perandorake e mbretërore në Shkodër dhe t’ia dorëzonte drejtuesit të gazetës, Dom Ndoc Nikajt . Në fillim të gushtit të atij viti, Zambaur i paraqiste Aehrenthalit, dëftesën e Dom Ndoc Nikajt, me të cilën vërtetonte se ai e kishte pranuar shumën prej 1.000 frangash .

Në nëntor të vitit 1910, Ministria e Punëve të Jashtme e Austro-Hungarisë i kishte dërguar këstin e radhës Dervish Himës për gazetën e tij “Bashkimi”, e cila ndryshoi emërtimin, pasi më parë mbante emrin “Shqipëtari”, emër të cilin Dervish Hima premtonte se do t’ia rikthente sërish. Gazeta kishte filluar të shtrihej në një hapësirë të gjerë, përfshirë edhe Shqipërinë e Veriut, prandaj ajo, sipas Ministrisë e meritonte plotësisht ndihmën financiare. Marrjen e 1.500 frangave e vërtetonte edhe vet Dervish Hima, i cili i paraqiste një dëftesë Ministrisë së Punëve të Jashtme .
Gazetave shqiptare u jepeshin edhe kredi, nga institucione të ndryshme austro-hungareze. Kështu, gazeta “Bashkimi’i Kombit”*, e cila dilte në Manastir, gjatë vitit 1910, mori një kredi prej 10.000 koronave nga Oda e Tregtisë dhe Zejtarisë në Vjenë .

Fazil pashë Toptani, nga shtatori i vitit 1910, filloi të botonte në Kajro të Egjiptit gazetën “Shkreptima” . Mirëpo edhe kjo gazetë, ashtu si pjesa dërrmuese e gazetave shqiptare, që dilnin në atë kohë, përballej me vështirësi financiare. I ndodhur në një situatë të tillë, Fazil Toptani, i cili kishte vizituar Vjenën, kërkoi nga Ministria e Punëve të Jashtme e Austro-Hungarisë që t’i akordonte një ndihmë financiare për gazetën e tij. Megjithëse në atë kohë përhapja e shtypit shqiptar në Perandorinë Osmane kishte shënuar një rritje të madhe dhe në Vjenë mendonin se në radhë të parë duhej të ndihmoheshin gazetat shqipe, që dilnin brenda trojeve shqiptare për dallim nga ato që dilnin jashtë, por, prapëseprapë duke marrë parasysh qëndrimin e “Shkreptimës” si dhe “qëndrimin personal të Fazil Toptanit dhe lidhjet e tij të afërta me Ismail Qemalin” e nxitën Ministrinë e Jashtme, që t’i aprovonte një ndihmë të menjëhershme, prej 3.000 koronash. Kjo ndihmë u realizua në fillim të janarit të vitit 1911, ndërsa Fazil Toptani, paraqiti një dëftesë përkatëse për marrjen e saj .

Qeveria austro-hungareze ndihmoi financiarisht edhe klubet shqiptare. Shpeshherë, me ndërmjetësimin e konsujve të saj në trojet shqiptare, Ballhausplatzi, u dërgonte klubeve harta dhe libra që lidheshin me Shqipërinë dhe shqiptarët, si dhe mjete financiare, të cilat në disa raste, nga klubet, përdoreshin për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe.
Klubi shqiptar i Filatit, nëpërmjet Musa Hamitit, në vitin 1910, kërkoi ndihmë nga Ministria e Jashtme e Austro-Hungarisë. Ndihma e akorduar në vitin 1909, ishte përdorur nga klubi për të blerë libra në gjuhën shqipe. Konsulli Bilinski i propozonte Ballhausplatzit, që edhe këtë radhë t’i akordohej një ndihmë prej 200 frangash . Edhe kësaj here propozimi i Bilinskit gjeti mbështetje në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Në një njoftim sekret që i dërgohej atij, në prill 1910, vihej në dijeni se klubit të Filatit, i ishte akorduar ndihma financiare prej 200 frangash .

Austro-Hungaria përpos hapjes dhe financimit me mjetet e saj të shkollave në gjuhën shqipe, brenda Shqipërisë, si dhe mbajtjen e kurseve të gjuhës shqipe në Borgo Erizzo, ngritjen arsimore të të rinjve shqiptarë e ndihmoi edhe me akordimin e bursave për ta. Shumë të rinj shqiptarë nëpërmjet bursave austro-hungareze studiuan në shkollat perandorake, si në Vjenë, Innsbruk, Mydling, Klagenfurt etj.
Në janar të vitit 1910, drejtori i konviktit shqiptar në Vjenë, Leb, i dërgonte shefit të seksionit Wolf, një listë të shpenzimeve, të bursistëve shqiptarë, për tremujorin e fundit të vitit 1909. Sipas raportit, për studentët shqiptarë ishin bërë disa shpenzime të jashtëzakonshme, të cilat arrinin shumën e 553,71 koronave. Nga i njëjti raport kuptojmë, se shuma e kërkuar i ishte dorëzuar, drejtorit Leb, më 12 janar 1910 .

Nga një njoftim që Ballhausplatzi i dërgonte shefit të Seksionit von Wolf dhe Ministrisë së Tregtisë, sipas të cilit bëhet e ditur se Ministria e Jashtme, kishte dërguar shumën prej 4.588 koronave, me të cilat do të mbuloheshin bursat për nëntë bursistë shqiptarë, të vendosur në konviktin shqiptar në Vjenë. Nga shuma e mësipërme, prej 4.588 koronash, 2.970 korona do të përdoreshin për të shlyer bursat tremujore (15 prill- 15 korrik 1910) të nëntë konviktorëve. Secili prej tyre merrte nga 110 korona në muaj. Kuota prej 1.500 koronave, llogaritej si pagesë e veçantë për tremujorin e dytë. Kurse shuma e mbetur prej 118 koronave dërgohej për të mbuluar shpenzimet, që ishin kryer nga koha e mbërritjes në konvikt, të nëntë bursistëve, më 12 mars deri më 15 prill të atij viti .
Nga fundi i korrikut të vitit 1910, Ministria e Jashtme e ngarkonte shefit e Seksionit Wolf, që të paguante për llogari të Ministrisë së Tregtisë shumën prej 4.572 koronave. Kjo Ministri, shumën e mësipërme do ta përdorte për të mbuluar bursat, për periudhën 15 korrik-15 tetor 1910, të nëntë konviktorëve shqiptarë, të vendosur në konviktin shqiptar në Vjenë. Nga shuma e mësipërme, 2.970 korona do të përdoreshin për të mbuluar bursat mujore, për tre muajt në vazhdim; 1.500 korona të tjera “si paradhënie për shpenzime”, për tremujorin e tretë dhe shuma prej 102 koronave do të ishte “një tepricë e kuotës së ushqimit” . Në tetor të atij viti, Ministria e Jashtme dërgonte një shumë tjetër prej 4.470 koronave për shlyerjen e bursave të nëntë konviktorëve shqiptarë . Më 31 tetor, Ministria e Tregtisë e njoftonte Ballhausplatzin, se shuma e mësipërme ishte pranuar nga ajo dhe se shpejt do të bëhej pagesa .
Gjatë vitit 1910, Nikollë Dragusha dhe Angjelin Kromçi, që të dy nga Shkodra u dërguan për të ndjekur studimet në shkollat austro-hungareze. I pari, me bursë të qeverisë vjeneze, i filloi studimet për teologji dhe filozofi në Seminarin Teologjik në Innsbruk, kurse i dyti, me shpenzimet e familjes u dërgua në Vjenë, ku më 1910 dha provimin në “programin mësimor të qytetëses” e në gjuhë gjermane .

R e z y m e
Pas shtypjes së Kryengritjes së vitit 1910, Porta e Lartë ndërmori një fushatë të egër kundër zhvillimit kulturor të shqiptarëve. U mbyllën shkollat, klubet dhe gazetat në gjuhën shqipe; filloi përndjekja e mësuesve, përkrahësve të alfabetit kombëtar dhe atdhetarëve shqiptarë. Persekutohej kushdo që i gjendej qoftë edhe një libër shqip, u mbyllë gazeta “Bashkimi i Kombit” dhe u arrestua botuesi i saj Fehim bej Zavalani, si dhe redaktori Gjergj Qiriazi.
Në kohën, kur mbylleshin shkollat shqipe, persekutoheshin mësuesit shqiptarë dhe drejtuesit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, si dhe ndiqej me ashpërsi çdo gjë shqiptare, qeveria xhonturke bënte përpjekje për përhapjen e mëtejme të shkollave në gjuhën turke, madje i lejoi serbët të rihapnin 300 shkolla të tyre në territoret ballkanike të Perandorisë Osmane si dhe u la dorë të lirë grekëve të hapnin shkolla në gjuhën greke. Vetëm shqiptarëve u mohohej e drejta e arsimimit në gjuhën e tyre amtare.
Në atë kohë, në rrethanat e sipërpërmendura, fatmirësisht, në trojet shqiptare funksiononin edhe shkollat e financuara nga qeveria e Vjenës, në të cilat mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe. Atdhetarët shqiptarë, duke ndjerë nevojën e zhvillimit të arsimit në gjuhën shqipe, e në mungesë të ekzistencës së shkollave kombëtare, filluan t’u kushtojnë rëndësi gjithnjë e më të madhe shkollave të financuara nga qeveria austro-hungareze.
Austro-Hungaria dha një kontribut të rëndësishëm edhe në zhvillimin e botimin e teksteve shkollore dhe librave të tjerë në gjuhën shqipe. Ajo ndihmoi botimin e një vargu organesh të shtypit në gjuhën shqipe, të cilat luanin një rol të rëndësishëm në përhapjen e ideve kombëtare në atë kohë.
Shumë personalitete të shquara të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, morën ndihma të konsiderueshme nga qeveria austro-hungareze. Këto ndihma financiare, u mundësuan atyre të vazhdonin veprimtarinë e tyre në interes të çështjes kombëtare.
Qeveria perandorake dhe mbretërore ndihmoi edhe klubet shqiptare, institucionet fetare katolike shqiptare, priftërinjtë katolikë etj.
E një rëndësie të veçantë ishte edhe ndihma e qeverisë vjeneze për arsimimin e të rinjve shqiptarë në shkollat e Perandorisë. Këta të rinj ndiqnin mësimet në shkolla të ndryshme austro-hungareze, profile të cilat nuk ekzistonin në tokat shqiptare në atë kohë. Bursistë të qeverisë dhe institucioneve të tjera austro-hungareze ishin jo vetëm të rinjtë katolikë por edhe ata myslimanë shqiptarë. Ky është tregues se Vjena synonte ngritjen e përgjithshme kulturore të popullit shqiptarë, pavarësisht nga besimi i tyre fetar.
Austro-Hungaria ishte e interesuar që populli shqiptar fillimisht të ngrihej në aspektin kulturor dhe pastaj, kur të piqeshin kushtet të formonte shtetin e vet kombëtar. Në takimet e shpeshta që drejtuesit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare kanë zhvilluar me diplomatë austro-hungarezë, këta të fundit vazhdimisht kanë këmbëngulur se shqiptarët pa një zhvillim kulturor, do ta kishin të vështirë të mbanin shtetin e tyre të pavarur.

Related Posts