Suplement

Singapori – më mirë një diktaturë e mirë, se sa një demokraci e keqe

Nga Hajdar Muneka*

Singapori, që në gjuhën malay, do të thotë Qyteti i Luanëve, ka zënë këto ditë faqet e para të mediave botërore. Kjo për shkak se, pak me shume se dy jave më parë, njeriu më i fortë i atij qyteti – shtet, krijuesi e udhëheqësi i tij për 50 vjet, një ndër udhëheqësit më të shquar të globit, Lee Kuan Yew, u nda nga jeta në moshën 92 vjeçare. Si ish-ambasador i Shqipërisë në Singapor, por edhe ndër shqiptarët e paktë që kam pasur fatin ta takoj këtë personalitet të madh, dëshiroj të jap disa mendime për të dhe për Singaporin në përgjithësi.

Çfarë dimë ne për Singaporin? Ose më mirë, çfarë nuk dimë për këtë vend të magjishëm?

Pjesa më e madhe e shqiptarëve e kanë dëgjuar këtë emër pas viteve 90-të. Disa edhe e kanë prekur atë rrugës së mashtrimit për të emigruar në Australi apo nga hyrjet – daljet e shumta për të siguruar një qëndrim më të gjatë në Malajzi, vend që në fillimet e demokracisë shqiptare u duk se do të ishte një parajsë punësimi për shumë të rinj shqiptarë.

Deri në vitin 1959 Singapori ka qenë koloni britanike, e cila edhe e ka krijuar atë diku nga shekulli i 18-të. Aso kohe shërbente më tepër si një pikë pushimi për marinarët dhe tregtarët endacake të brigjeve të Azisë Juglindore. Vendimi i kolonizatorëve për t’u larguar nga ky vend është pritur me lot nga banorët vendas, njëlloj si në Malajzi e gjetkë. Por britanikët lanë pas një trashëgimi solide për të vazhduar jetën: ligjet e tyre dhe një personalitet të shquar vendas me emrin Lee Kuan Yew, të shkolluar në Kembrixh e të aftë për ta drejtuar vendin e tij edhe pa praninë e tyre. Sugjerimi tjetër, në rast dështimi, ishte bashkimi me federatën fqinje të Malajzisë, e cila kishte territore, popullsi e burime natyrore shumë më të mëdha se Singapori. Faktikisht zgjedhja më e mirë konsistoi tek bashkimi me Malajzinë, i cili u bë i mundur në vitin 1963. Por mbretëria e Malajzisë kishte në fuqi një kushtetute e cila favorizonte popullsinë myslimane në shumicë, ashtu si edhe sot. Për singaporianët me mbi 80 për qind kinezë, ishte shumë e vështirë që të pranonte rolin e qytetarëve të dorës së dytë në të gjitha proceset shoqërore e instancat e vendimmarrjes. Lee Kuan Yew bëri të gjitha përpjekjet legjitime në parlament që ta ndryshonte këtë situatë. Për këtë ai u bë edhe nismëtar i lëvizjeve në disa qytete e mbretëri të Malajzisë. Më mirë se sa të vazhdonin kokëçarjet me këtë njeri që po sillte telashe Malajzisë, drejtuesit e saj zgjodhën rrugën më të shkurtër, por mjaft të sigurtë për ta: përjashtimin e Singaporit nga Malajzia. Kjo ndodhi ne vitin 1965 teksa vetë Lee Kuan Yew ishte në një vizitë jashtë vendit.

Kjo goditje pas shpine nuk e inkurajoi aspak 40-vjeçarin me origjinë kineze. I bindur se çdo popull duhet të qeveriset në bazë të filozofisë së tij, ai zëvendësoi pjesën më të madhe të ligjeve britanike me rregullat e etikës të Konfucit mbi sistemin e vlerave, të cilën kinezet e prejardhur të Singaporit, në pjesën më të madhe të tyre e njihnin dhe e besonin. Lee, i shkolluar ne Perëndim, mësoi gjuhen mandarine, si kushti vendimtar për të kuptuar siç duhet filozofinë e lashtë kineze, por edhe për të komunikuar me bashkëpatriotët e tij. Konfuci e mësonte atë të ishte një lider praktik, bazuar mbi vlerat autoritare të qëndrueshme. Kësaj filozofie i është përmbajtur gjatë gjithë jetës.

Singaporit, me një sipërfaqe prej më pak se 700 km katrore, i mungonte çdo gjë që i duhet një vendi për të jetuar. Por, përpos të tjerave, nuk kishte asnjë pikë ujë të pijshëm. Kjo ishte çështja e parë që udhëheqja e re e atij vendi e zgjidhi në një mënyrë mjaft të zgjuar. Lidhi një kontrate 100 vjeçare me Malajzinë. Uji vinte prej andej me tubacione gjigante mbi det, përpunohej dhe, pasi mbahej sasia që i duhej Singaporit, pjesa tjetër i shitej Malajzisë me një çmim simbolik, por qe nuk mund te ndryshonte deri në fund të kontratës. Kjo është bërë një mollë sherri midis dy vendeve me grindje që vazhdon deri në ditët tona, pasi çmimi i asaj kohe, për shkak të vlerës së kursit të monedhës, është disafishuar. Por, për çdo eventualitet, tashmë në Singapor është në rezervë një teknologji mjaft moderne, e cila bën te mundur përpunimin e ujërave të zeza, madje edhe të ujit të detit, duke i kthyer ato në ujë të pijshëm.

Ai vuri në shërbim të vendit të tij të gjitha përparësitë që i jepte pozicioni gjeografik i Singaporit, duke e kthyer atë në qendrën më të madhe portuale detare e ajrore për të gjithë rajonin. Ndërkohë shfrytëzoi me mjeshtëri edhe kapacitetet inteligjente të racës kineze, që përbënin gati 80 për qind të popullsisë. “Të jesh kinez, ka thënë Lee, nuk është vetëm një aftësi e dhuruar, por edhe një nevojë politike”. Punoi me një strategji të qartë që Singapori t’i shpëtonte perëndimizimit, duke stimuluar vlerat aziatike, si motor zhvillimi. U mor personalisht që nga përcaktimi i politikave e strategjive të zhvillimit të vendit, deri në përzgjedhjen e pemëve që do të siguronin oksigjenin me hijen më të shëndetshme ndaj diellit tropikal. I shpalli luftë pa asnjë kompromis, madje deri në ekstrem, korrupsionit, krimit dhe sidomos drogës. Asnjë lloj tolerance nuk ka për aktet korruptive të zyrtarëve të administratës publike. Madje ka pasur dënime mjaft të ashpra të rasteve flagrante edhe pa u gjykuar. As ndërhyrja e presidentit amerikan Bill Klinton, që ishte mik i ngushtë i tij dhe mori pjesë edhe në ceremoninë e varrimit, nuk ka mjaftuar për të ulur dënimin e një qytetari amerikan që është akuzuar për gërvishtje makinash; as ndërhyrja e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB dhe kryeministrit australian nuk e shpëtuan një qytetar australian nga dënimi me vdekje për disa gram drogë të fortë. Kur futësh në kufi oficeri i emigracionit të bën me dije se në atë vend dënohesh me burg për përtypje çamçakëzi njëlloj si për hedhje mbeturinash, mos shkundje uji në tualet apo pështymje përtokë. Ne fillim këto masa i kanë trembur qytetarët, por, me kalimin e kohës, çdo gjë u kthye në edukatë e sjellje krejt normale.

Natyrisht që kjo politike ka rezultuar mjaft e suksesshme për sa kohë që qytetarët singaporianë ndjehen të lumtur në vendin e tyre. Janë në top listën e vendeve me të ardhura më të larta për frymë. Çdo njeri flet në mënyrë fluente tri gjuhë të huaja, kinezçe, anglisht dhe malay. Rinia është e përkushtuar pas shkencës dhe teknologjisë. Në zyrat e administratës shtetërore apo edhe në vendet ku shërbehet gjen mirësjellje, kulturë e ngrohtësi njerëzore. Çdo gjë në atë vend lëviz më shpejt se kudo tjetër. Edhe shkallët elektrike e ashensorët lëvizin me tjetër shpejtësi. Është realisht një vend që jeta ja vlen të jetohet. Të tjerët, ata që nuk e kapin dot këtë ritëm, e lënë atë shumë shpejt. Shprehja se “nuk ka pyll pa derra” vlen edhe për Singaporin. Ka edhe nga ata që nuk e përballojnë dot një jetë të tillë plot rregulla. Vendi i tyre është ose në burg, ose duke vegjetuar nëpër botë.

Duke qenë më shumë pragmatist se politikan Lee nuk e pa asnjëherë qeverisjen si një proces të zbatimit të politikave mbi bazën e parimeve të ngurta. Në të kundërt, me vendin e tij bëri eksperimente të guximshme, duke ndërtuar parime nëpërmjet gabimeve të së shkuarës për të gjetur politikat më efikase për të ardhmen. Ai mori më të mirat e administratës britanike, por anashkaloi pjesën më të madhe të praktikës së saj. Po të vëresh me kujdes mënyrën e qeverisjes së Singaporit, do të gjesh aty një regjim të pastër autoritar Konfucian, të përafërt me të gjitha dinastitë e kaluara të Kinës. Me këtë formë qeverisjeje ai është kthyer në një shkollë edhe për të tjerët. Kur Deng Xiao Ping filloi reformat në Kinë, Pekini ka dërguar për kualifikim në Singapor 22 mijë specialistë, që më vonë u shpërndanë në sektorë të rëndësishëm të administratës shtetërore kineze. Lee ka qenë një konsulent mjaft i preferuar i të gjithë udhëheqësve kinezë të pasluftës, duke filluar nga Mao Ce Dun e deri tek presidenti aktual Xi Jinping. Eksperienca e tij konsiston kryesisht në faktin se ai është një ndër pionierët e kapitalizmit shtetëror, duke bërë që pothuajse të gjitha veprimtaritë ekonomike të vihen nën kontrollin e shtetit, i cili merr përsipër planifikimin dhe menaxhimin e centralizuar të tyre. Një sistem ku shteti shtron rrugën dhe qytetaret janë të detyruar ta ndjekin atë. Është pak a shumë edhe modeli që ndjek aktualisht Kina e, deri diku, edhe Malajzia.

E gjithë bota e pranon se Singapori është vendi që ka progresin më të shpejtë ekonomik në gjithë historinë e njerëzimit. Argumenti është krejt i thjeshtë: nga një vend që pesë dekada më parë kishte vetëm disa punishte zejtarie, një shtëpi publike për marinarët e një kaos shoqëror të krijuar nga piratët e të gjitha racave e ngjyrave, sot është kthyer në një nga katër qendrat më të mëdha financiare botërore. Ka një port më të madh se ai i Amsterdamit, linjë ajrore nga më prestixhiozët, ka të ardhura më të larta për frymë se Zvicra, prodhon më shumë programe kompjuterike se të gjitha vendet skandinave të marra së bashku. Në fushën e arsimit, sidomos atë të matematikës, shkencës dhe veçanërisht në mësimin e gjuhës angleze, është më i avancuar se Europa. Singapori është vendi i parë në botë pas Luftës së Ftohtë, që ka kaluar direkt nga Bota e Tretë në Botën e Parë. E thënë me një gjuhë më të thjeshtë, është njëlloj sikur Sudani, brenda një gjenerate, të kthehej në Zvicër. Zhvillimi është aq i ndjeshëm sa Malajzia, që është fqinji i tij më i afërt, e pa dyshim një nga vendet më të zhvilluara të Azisë Juglindore, krahasuar me të, duket e prapambetur.

Në këtë mënyrë Singapori krijoi modelin e tij aziatik, por mjaft të suksesshëm. Kjo e bën atë edhe më interesant pasi ky model provoi se një qeveri që gjeneron lumturi e bollëk për shumicën e qytetareve të saj dhe e shndërron vendin në një vlerë për kapitalin e huaj, mund të fitojë të drejtën të ketë kontrollin e mediave, madje edhe të injorojë kundërshtarët politikë, çka për demokracinë e tipit perëndimor janë fenomene të papranueshme. Është një model që askujt nuk ia heq të drejtën për të konkurruar, por që nuk lejon as më të voglin abuzim në emër të demokracisë e tët ë drejtave të njeriut.

Shumë njerëz Lee Kuan Yew e krahasojnë me Mandelën, me Gandin apo edhe me Kemal Ataturk. Unë besoj se ai është diçka krejt tjetër. Pasi asnjeri prej tyre, siç ka bërë Lee, nuk e mori vendin e tij si një foshnjë të porsa lindur dhe të kujdesej për të deri sa t’i mbaronte fryma. Ata që e kanë njohur nga afër e cilësojnë si “Kisingeri i Azisë” ndërsa vetë Kisingeri ka thënë se “Lee Kuan Yew është ndër udhëheqësit e pakët që kam takuar që më ka mësuar shumë gjëra”.

Problemi me vendet si Singapori është se ato u mësuan të kenë në krye një lider si Lee. Eksperienca ka treguar se pas largimit nga jeta të personave me një influencë kaq të madhe, aty ku ata kanë qeverisur krijohet një boshllëk. Në të shumtën e rasteve vendi bie në duart e mediokrëve, të cilët janë mjaft inkompetentë jo vetëm në fushën administrative, por edhe atë politike. Aktualisht Singapori drejtohet nga i biri i Lee. Koha do të tregojë se sa i zoti do të jetë ai të vazhdojë trashëgiminë e të atit.

Mund të mendohet se zbatimi i një demokracie me bazë të gjerë, çka realisht i ka munguar Singaporit në 50 vitet e ekzistencës së tij si shtet i pavarur, teorikisht do të ishte rruga më e mirë për një qeverisja efikase. Por në atë rajon ka disa precedentë. Vitet më të arta për Hong Kongun, Taiwanin, Korenë e Jugut apo edhe Japoninë kanë qenë gjatë periudhës kur ato zhvilloheshin me “stilin aziatik” të një partie të vetme në pushtet. Mrekullia e tyre ndaloi pikërisht kur adaptuan stilin perëndimor të demokracisë. Kjo nuk ndodhi vetëm me Singaporin dhe Kinën, të cilët, deri në këto ditë, vazhdojnë të ndjekin stilin e tyre të preferuar aziatik të mbajtjes së pushtetit. Ndaj “vlerat konfuciane të qeverisjes”, të provuara tashmë prej më shumë se dy mijë vjetësh, nuk mund të kritikohen apriori nga ata që nuk i kanë studiuar ato siç duhet. Një gjë është e qartë: nëse Lee KuanYew do të kishte lindur ne një vend ose kohë tjetër, ndoshta bota mund të mos ishte tamam kjo që është.

*Ish-ambasador në Singapor

Related Posts