Lajme TOP-LAJM

“Vrasja e Sazdovskit”, Bela e Demiri dënohen më nga 19 vjet burg (VIDEO)

Me burg prej gjithsej 38 viteve janë dënuar Besir Bela dhe Skender Demiri për vrasjen e Nikolla Sazdovskit 20 vjeçar. Të akuzuarit morën dënime identike pasi mjekët dhe ekspertët ligjor nuk kishin arritur të vërtetojnë se kush e ka bërë goditjen fatale ndaj Sazdovskit, i cili me shqelma dhe grushte është goditur 16 herë. Gjykatësja Daniela Aleksovska- Stojanovska vendimin e shqiptoi para të akuzuarve, por edhe para familjes së të ndjerit.

“Jam thellë e bindur se të akuzuarit me veprimin e këtillë i kanë shkelur pritjet e prindërve të tyre. Etërit e tyre të shqetësuar i shihnim në të gjitha seancat kryesore. Jam e bindur se ata nuk i kanë edukuar fëmijët e tyre që të vrasin në rrugë. Sado që të duket ky sanksion i rreptë para syve të tyre, që për nga lartësia është e barabartë me moshën e të akuzuarve, kuptohet se të akuzuarit duhet të kenë virtyt që të ballafaqohen me këtë dhe t’i bartin pasojat e kësaj vepre penale”, theksoi Daniela Aleksovska- Stojanovska, gjykatëse.

Ivan Sazdovski, i ati i të ndjerit tha se janë të kënaqur nga lartësia e aktvendimeve, por kishte çfarë të shtojë:

“Për ne si prind, për mua personalisht edhe njëmijë vite të ishte dënimi, nuk ka gjykatë në këtë tokë që mund ta shqiptojë dënimin e duhur për këtë vepër”, u shpreh Ivan Sazdovski, i ati i Nikolla Sazdovskit.

Familja e të akuzuarit Besir Bela konsideron se dënimi është tejet i lartë. Ata vlerësojnë se në këtë vendim ka prapavijë politike.

“Ne e pamë se çka ndodhi me rastin e Almir Aliut, e pam dhe çka ndodhi me këtë rast. Nuk ka drejtësi për shqiptarët”, tha Bela.

Me lartësinë e dënimit të lartë nuk pajtohet as avokati i të akuzuarit Skender Demiri.

“Nga vet fillimi, lënda në procedurë hetimore zhvillohej për vepër tjetër penale, por për shkak të presioneve që bëheshin nga disa grupe të caktuara të tifozëve, më saktë nga grupi “Komitët”, erdhi deri tek rikualifikimi”, deklaroi Asmir Alispahiq, avokat.

Në ndërkohë, i akuzuari i tretë Jeton Luzha edhe më tej është në arrati. Sipas Prokurorisë, më 29 qershor të vitit të kaluar, tre të akuzuarit e kanë rrahur Sazdovskin në stacionin u autobusit në lagjen Autokomandë të Shkupit. Si pasojë e lëndimeve, Sazdovski ndërroi jetë pas dhjetë ditëve./alsat

Related Posts